Kryevirologu amerikan Anthony Fauci ka deklaruar se qeveria amerikane nuk do u kërkojë amerikanëve të pajisen me pasaporta vaksinash me detyrim për të vërtetuar se janë imunizuar kundër koronavirusit.

Në një intervistë me “Politico Dispatch”, Doktor Fauci tha se qeveria federale mund të përfshihet në sigurimin që gjërat të bëhen në mënyrë të drejtë. Fauci tha se megjithatë disa biznese dhe institucione të tjera mund të krijojnë vetë politikat e tyre.

“Unë nuk po them se ata duhet ta vendosin si kusht, as se nuk duhet, po paralajmëroj që një biznes apo institucion mund të thotë: Nuk mund të pranoheni në punë nëse nuk kemi garancinë që jeni vaksinuar. Megjithatë kjo skemë nuk do të mandatohet nga qeveria federale”, tha Fauci.

Guvernatori i Florida Ron DeSantis nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ditën e premte, duke ndaluar në mënyrë efektive përdorimin e pasaportave të vaksinave brenda shtetit.

Urdhri ekzekutiv parandalon çdo entitet qeveritar në Florida të kërkojë një pasaportë vaksine për të provuar se një person është vaksinuar për COVID-19.

Urdhri gjithashtu ndalon bizneset në Florida të kërkojnë nga klientët dokumentacionin e vaksinës COVID-19 për të fituar akses ose shërbime.

Urdhri thotë se “kërkimi i pasaportave të ashtuquajtura të vaksinave COVID-19 për të marrë pjesë në jetën e përditshme të tilla si pjesëmarrja në një ngjarje sportive, ulja në restorante ose shkuarja në një kinema do të krijonte diskriminim”.

Sipas urdhrit të guvernatorit, vaksinat nuk janë të mandatuara në Florida dhe vendimi i një individi për të marrë një vaksinë është personal.

Kur një person bën vaksinën, ai thjesht mund të marrë një kartë në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që vërteton se ka bërë vaksinën.

Nuk dihet se sa do jenë në gjendje amerikanët që nuk bëjnë vaksinën për të udhëtuar në BE.