Në samitin që do të zhvillohet mes liderëve europianë duhet të zhvillohen bisedime sesi mund të zhvillohen kapacitetet e shteteve të bllokut për të prodhuar vaksina brenda Unionit, në mënyrë që të mos jenë të varur nga importet e Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve.

Këtë ide ka trumpetuar kancelarja gjermane, Angela Merkel në prag të samitit virtual të BE, ku natyrisht Gjermania (veçanërisht në mungesë të Britanisë) është forca komanduese në bllok.

“Qendrat e prodhimin në Britani dhe SHBA nuk eksportojnë aq vaksina sa na duhen ne, kështu që duhet të krijojmë mundësitë të prodhojmë vetë kërkesën tonë këtu në Europë” ka thënë kancelarja në një fjalim në Bundestag.

Kujtojmë se në samitin e BE për herë të parë pas vitit 2009 do të flasë (ndonëse virtualisht) edhe presidenti amerikan Joe Biden, në një përpjekje për të kthyer në normalitet marrëdhëniet mes Washington-it dhe Brukselit të cilat u ftohën së tepërmi gjatë presidencës Trump.