Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  ka vizituar Gllogjanin,  me ç’rast ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit”.

Kreu i qeverisë, ka deklaruar se 23 vite më parë,  pikërisht në Gllogjan është dhënë kushtrimi i lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Sipas Kurtit, pushkëve të lirisë iu bashkëngjiten avionët e NATO-s dhe se sipas tij nuk vonoi e u çlirua Kosova, transmeton FemInfo.

“24 marsi i epopesë së Dukagjinit dhe ai i ndërhyrjes së NATO-s thuajse na tregojnë rendin e logjikshëm të gjërave, së pari pushka jonë pastaj avioni i NATO-s, ngjashëm edhe sot së pari puna jonë, e pastaj edhe ndihma prej jashtë për zhvillim e drejtësi”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka potencuar se në ditë të shënuara duhet të bëjmë nderim për dëshmorët e kombit, ata të cilat sipas tij dhanë gjithçka që të jetojmë të lirë.

“Ne që jemi të gjallë duhet të kujtojmë ata që nuk janë sepse vetëm duke ia përkujtuar vetës sonë çmimin e madh për liri e pavarësi ne ua dimë e ua ruajmë vlerën lirisë dhe pavarësisë”, pohoi Kurti./feminfo.net