Facebook po konsideron që të krijojë një version tjetër të Instagram-it, kompani që zotërohet nga Facebook. Versioni i ri do të jetë i përshtatshëm për fëmijët nën moshën 13-vjeçare.

BuzzFeed News raportoi i pari se Facebook njoftoi në një post të brendshëm të kompanisë se do të fillojë krijimin e një versioni të Instagram-it për fëmijët nën moshën 13-vjeçare për t’i lejuar ata të përdorin “në mënyrë të sigurt” platformën për herë të parë.

Aktualisht kompania nuk lejon personat që janë nën këtë moshë që të krijojnë një llogari në platformë.

Një zëdhënës i Facebook tha për Guardian se kompania po eksploronte një version të Instagram-it të kontrolluar nga prindërit, i ngjashëm me aplikacionin Messenger Kids që është për fëmijë midis 6 dhe 12 vjeç.

“Gjithnjë e më shumë fëmijët po pyesin prindërit e tyre nëse mund të kenë aplikacione që i ndihmojnë të lidhen me miqtë. Tani për tani nuk ka shumë mundësi për prindërit, kështu që ne jemi duke punuar në ndërtimin e produkteve shtesë, që janë të përshtatshme për fëmijë, të menaxhuara nga prindërit,” tha zëdhënësi.

Përpos kësaj, këtë muaj, Instagram njoftoi planet për të prezantuar një veçori i të re të sigurisë, krijuar për të mbajtur të sigurt adoleshentët nën moshën 18 vjeç kur përdorin aplikacionin.

Platforma tha se së shpejti do të ndalojë njerëzit mbi 18 vjeç të jenë në gjendje t’u shkruajnë të miturve, nëse ata nuk e ndjekin njëri-tjetrin në Instagram.