Institucionet e Kosovës,  gjatë kësaj jave mund të marrin vendim nëse do të ketë shtrëngim të masave anti-Covid, pas rritjes së rasteve me këtë sëmundje gjatë ditëve të fundit.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Express, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përcjellë FemInfo.

Zemaj ka shtuar se janë duke e vlerësuar situatën epidemiologjike.

“Ne bashkë me Instituti e Shëndetit Publik dhe me institucionet e tjera jemi duke e vlerësuar situatën epidemiologjike në vend, nuk kemi ndonjë propozim. Të enjten e kem takimin e Komiteti për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me Covid-19 do ta vlerësojmë situatën pastaj do të vendosim”, ka thënë Zemaj.

Ndërkohë, në Qeveri kanë deklaruar se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në vazhdimësi ka kërkuar ashpërsim të masave, por se të premten do të vendoset nëse do të ketë apo jo.

Sipas zëdhënëses së Qeverisë, Antigona Baxhaku, IKSHP’,  ka propozuar në vazhdimësi ashpërsim të masave, por që sipas saj kjo çështje ende nuk është diskutuar  në Qeveri.

 “Të premten mbahet takimi dhe vendoset edhe nëse do të ketë shtrëngim të masave. Por, për të gjitha këto më shumë detaje mund të iu dhënë në Ministri të Shëndetësisë, meqenëe janë ata që propozojnë”, ka shtuar Baxhaku.