Ndotja e ambientit si dhe hedhja e mbeturinave vend e pa vend, po vazhdon të jetë shqetësim për shumë qytetet dhe fshatra të Kosovës.

Për të parandaluar degradimin si dhe për të kontribuar në mbrojtjen e ambientit Komuna e Gjakovës, ka nisur projektin “Alo Çabrati”, që ka të bëj me denoncimin e abuzuesve me mbeturina.

Zyrtarë të kësaj komune kanë bërë të ditur se tashmë është lansuar linja telefonike pa pagesë 0800 90 100, ku të gjithë qytetarët mund të denoncojnë keqpërdoruesit.

“Nga dita e sotme, mund të telefononi falas në numrin 0800 90 100 dhe të informoni zyrtarët e kompanisë Çabrati dhe të komunës së Gjakovës për deponitë ilegale, abuzimet me depozitimin e mbeturinave dhe çështje të tjera të ndërlidhura me menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave në Komunën e Gjakovës”, thuhet në njoftim.

Linja telefonike është aktivizuar me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit dhe partneritetit midis qytetarëve të komunës së Gjakovës dhe Kompanisë “Çabrati”, me mbështetjen e projektit “Të Bashkuar Kundër Ndotjes”.

Bëhet me dije se projekti financohet nga Komisioni Evropian në kuadër të Programit IPA II për Bashkëpunim Ndërkufitar Mali i Zi – Kosovë, dhe zbatohet  nga Komuna e Gjakovës dhe Let’s Do It Peja./feminfo.net