Shpërthimi i koronavirusit do të përfundojë në fillim të vitit 2022. Këtë shpreson drejtori rajonal për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në një intervistë për mediat daneze, Hans Kluge tha se Covid-19 do të vazhdojë të qarkullojë gjatë këtij viti, por për fat të mirë do të jetë më i menaxhueshëm se në vitin 2020.

Megjithatë ai theksoi se askush nuk mund të dijë paraprakisht të ardhmen e pandemisë së koronavirusit.

“Do të vazhdojë të ketë një virus, por nuk mendoj se do të nevojiten më kufizime. Ky është një mesazh optimist,” tha Kluge.

Eksperti shtoi se mutacionet janë normale të ndodhin dhe virusi po përpiqet të përshtatet me personin e infektuar, por përhapja e shpejtë e mutacioneve është disi shqetësuese .

Duke shtuar se OBSH po monitoron nga afër efikasitetin e vaksinave të zhvilluara kundër Covid-19 për shkak të llojeve të përhapjes së shpejtë të virusit, ai tha se vaksinat mund të ndryshohen bazuar në mutacionet e reja nëse është e nevojshme.

Ai tha se mutacionet nuk do ta bëjnë virusin të dalë jashtë kontrollit por vuri në dukje se vendet, sistemet e kujdesit shëndetësor të të cilave tashmë janë nën presion mund të vihen më shumë nën presion, gjë që e bën të domosdoshme marrjen e mutacioneve shumë seriozisht.