Gjendja e përgjithshme pandemike nëpër shkollat e komunës së Mitrovicës aktualisht është stabile dhe pa ç’rregullime të mëdha të procesit mësimor.

Që nga fillimi i vitit të ri shkollor në Mitrovicë me Covid-19 janë infektuar 11 mësimdhënës dhe 9 nxënës, ndërsa aktualisht në këtë komunë nga gjithsej 32 shkolla, 30 janë duke zhvilluar mësimin sipas skenarit A.

Ismet Ferizi, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress, se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor në kohë pandemie, skenari A që nënkupton mësimin fizik në shkolla, skenari B mësimin e kombinuar, dhe skenari C mësimin online nga platforma të ndryshme.

Sipas tij, institucionet përgjegjëse komunale kanë arritur t’i dalin përballë jashtëzakonisht mirë kësaj situate, pavarësisht rrethanave të krijuara.

Edhe Vejsel Abdurrahmani, koordinator i cilësisë në shkollën e muzikës “Tefta Tashko”, në Mitrovicë, theksoi se gjendja aktuale sa i përket pandemisë është stabile.