Në qytetin e Przirenit, nën organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), është mbajtur gara “Olimpiada Matematike” me nxënësit e klasave të 9-ta, 10-ta, 11-ta, dhe të 12-ta.

Kjo garë është mbajtur në hapësirat e Shkollës Fillore Abdyl Frashëri” në Prizren.

Në këtë garë të organizuar në bazë të kërkesës së Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës për Olimpiada të Matematikës, morën pjesë 76 nxënës nga 17 shkolla të ndryshme të komunës së Prizrenit, ku do të përzgjidhen nxënësit më të suksesshëm në fushën e matematikës.

Nxënësit e përzgjedhur nga kjo garë, më pas do të marrin pjesë në Olimpiadën e XIII-të Matematike të Kosovës (OMK 2021) që do të mbahet më 27 shkurt 2021 në Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë, ku do të bëhet përzgjedhja e nxënësve më të suksesshëm në fushën e matematikës në nivel të të gjitha komunave.

Nga Olimpiada Matematike e Kosovës përzgjidhet ekipi prej 6 nxënësve që do ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 62-të Matematike Ndërkombëtare – IMO 2021, e cila do të mbahet në St. Petersburg, në Rusi, prej datës 14. 07. 2021 deri më datën 24. 07. 2021, ku Kosova merr pjesë për herë të njëmbëdhjetë në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota.

Po ashtu, nga Olimpiada Matematike e Kosovës do të përzgjidhen nxënësit nga klasa IX që do të përfaqësojnë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e Dytë Matematike Kosovë – Shqipëri – KAMO 2021, e cila do të mbahet në Shqipëri.

Bëhet e ditur se nesër me kërkesën e Shoqatës Kosovare të Fizikës, do të organizohen garat e XXII-ta Republikane të ”Fizikanëve të Rinj” me nxënësit e klasave të 9-ta, 10-ta, 11-ta, dhe të 12-ta.

Nga nxënësit fitues të këtyre garave do të përzgjedhen dy ekipe prej nga 5 nxënës për të përfaqësuar shtetin e Kosovës në Olimpiadën Ndërkombëtare të Fizikës (International Physics Olympiad – IPhO) dhe në Olimpiadën Europiane të Fizikës (Europian Physics Olympiad – EUPhO)./feminfo.net