Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës është rritur numri i ankesave për produktet ushqimore jocilësore dhe pa afat.

Ky autoritet gjatë vitit që lamë pas e deri më sot ka larguar nga tregu dhe asgjësuar mbi 700 mijë kilogram produkte ushqimore që nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum.

Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi theksoi për KosovaPress, sekontrollet në import të mallrave ushqimore janë realizuar 100 për qind.

Sipas tij, çdo ngarkesë i është nënshtruar procedurave të rregullta të kontrollit dhe varësisht nga të gjeturat është vendosur për ngarkesat për t’u lejuar që të hyjnë në tregun tonë apo jo.

Ai thotë se në gjithë territorin e Kosovës kanë ushtruar kontroll përmes tri llojeve të inspektorateve, inspektorati veterinar, fito sanitar dhe sanitar dhe nga këto kontrolle edhe në vitin 2020, duke larguar nga tregu dhe asgjësuar rreth 700 mijë kilogram produkte ushqimore.

“Edhe nga statistikat që kemi nga departamenti për mbrojtje të konsumatorëve, jemi autoriteti që prijmë për nga numri i ankesave që vijnë pikërisht për shkak të besueshmërisë që kanë qytetarët në autoritetin tonë, sepse për të gjitha ankesat ata gjithmonë në kohë rekorde marrin përgjigje për rastet e raportuara. Raste e raportuara gjithmonë kanë marrë zgjidhje nga ana e inspektoratit dhe ky bashkëpunim mes qytetarëve dhe autoriteti duhet të vazhdojë, sepse siguria ushqimore, është siguri e përgjithshme, e cila nuk i takon vetëm autoritetit”, thekson Thaçi.

Ai ka treguar edhe për llojin e produktit të orizit “Broën Rice Basmati organic 500g”, që është larguar nga tregu dhe për kujdesin që duhet pasur konsumatorët.

Ndërsa, sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit për pandeminë, Thaçi thotë se në dy muajt e fundit, janar dhe shkurt, AUV ka ndëshkuar qytetarë, biznese dhe parti politike që kanë shkelur këtë ligj.

Partitë politike, sipas tij, janë ndëshkuar për tubimet zgjedhore në kundërshtim me Ligjin për pandeminë.