Një murgeshë franceze që është personi më i vjetër në Europë është shëruar nga Covid-19 dhe do të festojë 117-vjetorin e lindjes këtë javë.

Motër Andrée, e lindur me emrin Lucile Randon në vitin 1904, rezultoi pozitive me Covid muajin e kaluar në shtëpinë e të moshuarve Sainte-Catherine Labouré afër Toulon ku 81 nga 88 të moshuarit u infektuan me virus, 10 prej të cilëve ndërruan jetë.

Murgesha, e cila do të festojë ditëlindjen e 117 të enjten, u raportua se nuk kishte pësuar simptoma të Covid-19, por qëndroi e mbyllur në dhomë, në pamundësi për të takuar banorët e tjerë apo për të shkuar në meshë. Stafi i shtëpisë së të moshuarve u tha gazetarëve se ankesa e saj e vetme ishte “vetmia”.

“As që e kuptova se e kisha,” tha ajo për gazetën Var-Matin. David Tavella, një zëdhënëse e shtëpisë së të moshuarve, i tha gazetës se murgesha nuk kishte treguar frikë nga virusi.

“Ajo nuk më pyeste për shëndetin e saj, por për rutinën. Donte të dinte për shembull nëse vaktet do të ndryshonin. Ajo nuk tregoi frikë nga sëmundja. Në fakt, ishte më e shqetësuar për banorët e tjerë,” tha Tavella.

E pyetur nëse kishte frikë nga Covid, murgesha tha për televizionin BFM të Francës:

“Jo, nuk u frikësova sepse nuk kisha frikë të vdisja. Jam e lumtur që jam me ty, por do të dëshiroja të isha diku tjetër – të bashkohesha me vëllain tim të madh, gjyshin dhe gjyshen time.”

Vitin e kaluar, Andrée u shpreh se nuk e kishte idenë se si kishte jetuar kaq gjatë.

“Nuk e kam idenë se cili është sekreti. Vetëm Zoti mund të përgjigjet në këtë pyetje. Unë kam pasur shumë pakënaqësi në jetë dhe gjatë luftës 1914-1918 kur isha fëmijë, kam vuajtur si të gjithë të tjerët.”

Murgesha, e lindur më 11 shkurt 1904, është personi i dytë më i vjetër në botë.

Në vend të parë është Kane Tanaka nga Japonia, e cila mbushi 118 vjeç më 2 janar.