Në vitin 2021 ka më shumë lidera të gjinisë femërore se kurrë më parë në historinë njerëzore. Në SHBA rreth ¼ e përfaqësuesve legjislative janë gra.

Kamala Harris është gruaja e parë zv.Presidente, ndërkohë që gjysma e kabinetit në administratën Biden janë gra. Lidershipi femëror po fiton terren edhe në botën e biznesit.

Për herë të parë në histori, të gjitha firmat pjesë e 500 më të pasurave, kanë të paktën një femër në bordin e tyre drejtues. Gjithashtu, numri i femrave që drejtojnë kompani ndërkombëtare është rritur eskponencialisht në krahasim me disa vite më parë.

Përgjatë historisë njerëzore, imazhi i një lideri potent ishte i lidhur ngustësisht me tipare “mashkullore”.

Lideri duhet të kishte vetëbesim, të imponohej dhe të ishte i pavarur. Gratë nga ana tjetër, pritej të ishin inklusive, të buta dhe të përkujdesshme, tipare këto të lidhura ngushtë me cilësitë ideale amësore.

Por, përgjatë viteve të fundit studimet tregojnë se femrat shihen si lidere po aq potente dhe kompetente sa edhe meshkujt.

Situata e pandemisë ka ngritur pyetjen nëse tashmë ka ardhur koha për një botë të drejtuar nga femrat, si një alternativë më e mirë dhe empatike, përkundrejt modelit tradicional dhe autokratik të meshkujve.

Suksesi i modelit femëror mund të evidentohet edhe nga menaxhimi më i mirë i krizës sanitare prej shteteve të cilat drejtohen nga femra si Zelanda e Re, Finlanda, Gjermania, Danimarka, Norvergjia dhe Taiwan-i.

Preferenca për një politikë më empatike, nën drejtimin e femrave është gjithnjë dhe në rritje.

Edhe në ushtrinë amerikane, e njohur për dominimin maskulin, plani i shpallur së fundmi “put people first”, deklaron nevojën për një ushtri më inkluzive, ku gjinitë janë të përfaqësuara si duhet dhe ekziston një sens komunal tejet i domosdoshëm për suksesin e çdo departamenti apo sipërmarrjeje.

Pra, çfarë ka ndryshuar? Stereotipet dihet, se nuk kanë ndryshuar dhe mbeten prezent në të gjitha shoqëritë. Realiteti tregon se është forma e lidershipit ajo që po merr trajtë të re dhe po formëzohet nga duart e femrave.

Tashmë ideja e liderit është e një personi që jo domosdoshmërit “drejton”, por “kujdes”. Studime të njëpasnjëshme në SHBA kanë treguar se njerëzit e kërkojnë një model qeverisjeje që mund të cilësohet “amësor” dhen çmojnë vlerat femërore si sensitiviteti, ngrohtësia dhe mirëkuptimi.

Ndoshta një shtysë e këtij perceptimi ka qenë dhe një farë diskreditimi i modelit “macho” i të qeverisurit, që dështoi veçanërisht në përballimin e krizës sanitare.

Vendet e drejtuara nga femrat kanë më pak viktima për 1000 banorë si dhe kanë vaksinuar më shumë qytetarë, krahasuar me shtetet e tjera.

Guvernatoret femra të SHBA kanë performuar më mirë se homologët e tyre meshkuj, ndërkohë që njerëzit janë më optimistë për situatën, sipas sondazheve.

Lidershipi femëror është evident dhe në sektorin privat.

Një studim i kryer në Europën Perëndimore evidenton se liderat femra vlerësohen më pozitivisht nga të punësuarit e tyre. Gjithashtu, ato shihen si më motivuese dhe mirëkuptuese në vendin e punës.

Stereotipi i vjetër “mendo si burrë për të drejtuar” tashmë nuk ka vend. Në 2021 mund të themi “mendo si lider, mendo si një grua”.

Burimi: Bloomberg Business