Edhe personat që e kanë kaluar virusin korona, duhet patjetër t’i përmbahen masave kundër Covid-19.

Kështu ka deklaruar infektologu, Izet Sadiku, në Klan Kosova, me ç’rast ka dhënë më shumë detaje lidhur me mundësinë e ri-infektimin me COVID-19 dhe pasojat.

 “Ka pasur raste që janë deklaruar për herë të dytë që kanë dalë me COVID, nuk kanë pas simptoma herën e parë”.

Sipas Sadikut,ekzistojnë disa  mutacione të këtij virusi.  

“Sa më shumë që qëndron virusi të njerëzit, bëhen mutacione më të mëdha. Tipi anglez, tipi afrikan dhe tash një tip brazilian por ende nuk ka hulumtim të mirëfilltë për të parë efektet e tij. Deri tash ka hulumtime në Britani që deri në gjashtë muaj njerëzit kanë antitrupa. Ende preferohet të mbahet maska edhe për ata që e kanë kaluar, të mos ndjehen komod”.

Tutje, infektologu  kosovar  ka shtuar se imuniteti është specifik dhe se  sa i përket virusit, ai  është shumë i ri, zhvillimet dhe të arriturat e këtij virusi janë shumë të mëdha.

“Kemi pasur raste të cilat janë deklaruar në forma të lehta, nuk kanë pas antitrupa, domethënë ata s’kanë krijuar antitrupa. Por ata që s’kanë krijuar antitrupa, konsiderohet që kanë imunitet qelizor. Qytetarët duhet të kenë parasysh të kujdesen këtë fazë sepse së shpejti vijnë edhe vaksinat. Personat që kanë kaluar sëmundjen, me përdor masa mbrojtëse”, tha Sadiku  për  Klan Kosova.