Përdorimi i antibiotikëve tek fëmijët me Covid pa rekomandimin e mjekëve mbetet një problem shqetësues. Mjekja pediatre Besjana Hoxha bën apel për të shmangur përdorimin e tyre, pasi mund të shkaktojë efekte anësore tek të vegjlit.
“Prindërit shpesh i trajtojnë fëmijët e tyre në shtëpi, edhe me antibiotikë. Është e gabuar sepse ato mund të kenë edhe efekte anësore. Cdo medikament antibiotik, apo edhe azitromicina mund të shfaqë efekte tek fëmijët. Nuk duhen përdorur pa rekomandimin e mjekut pediatër. Unë tek asnjëri nga pacientët nuk kam këshilluar antibiotikë.”
Mes afro 30 pacientëve të infektuar me Sars-Covid-2, të trajtuar nga mjekja Hoxha, 2 prej tyre kanë patur nevojë për trajtim spitalor, por vetë ajo nuk ka dhënë antibiotikë për asnjërin prej tyre.
1390 fëmijë janë infektuar nga sars-covid-2 që nga nisja e pandemisë, pjesa dërrmuese e të cilëve asimptomatikë dhe janë trajtuar në shtëpi nga mjekët pediatër.
Burimi: Vizion Plus