Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka përshëndetur votimin e buxhetit për vitin 2021 edhe në lexim të dytë në seancën e sotme.

Reshitaj në Edicionin Special tha se është e zhgënjyer që disa amandamente nuk gjetën përkrahjen e deputetëve.

“Ndonëse në kushte të jashtëzakonshme dhe të imponuara për një periudhë shumë të shkurtër në të dy leximet, sot fatmirësisht u votua buxheti. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës sepse jemi duke kaluar në një periudhë të jashtëzakonshme me pandeminë dhe do të jetë një ndihmë sado pak për të gjitha familjet”.

“Jam e zhgënjyer me një pjesë të amandamenteve të cilat nuk janë përkrahur sidomos nga Komisioni për Buxhet dhe Transfere, konsideroj që ato kanë qenë të rëndësishme dhe jetike sidomos për periudhën në të cilën po kalojmë”.

Reshitaj mes tjerash tha se ndjen keqardhje ndaj personelit shëndetësor që nuk u mbështet nga partitë politike.

“Më vjen shumë keq dhe e them me keqardhje që nuk ka pasur vullnet nga partitë e mëdha politike që ta mbështesin stafin shëndetësorë në këtë periudhë. Mund të them se është i vetmi deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që është pjesë e Komisionit për Buxhet dhe Transfere i cili ka votuar pro propozimeve të amandamenteve për të qenë pjesë e mundësisë për tu votuar në Kuvend”, tha Reshitaj.

Reshitaj mes tjerash tha se edhe pse kjo legjislaturë ka mbaruar ndihet mirë që për aq sa kishte mundësi ka bërë në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Burimi: Front Online