Një reflektim për kohën të cilën jetojmë ku të gjithë duket se i jemi dorëzuar “demonit të shpejtësisë”, ku kemi harruar shijimin e kënaqësisë duke u fokusuar tek kërkimi i saj, ku të gjithë duket se janë në garë për të rrëmbyer tërë dritat mbi vete e ku “kërcimtarët” janë ata që dominojnë të gjitha skenat.

Romani “Ngadalësia” i Milan Kunderës, ka fare pak ditë që ka ardhur te lexuesi shqiptar i përkthyer nga Mirela Kumbaro. Ish-ministrja e Kulturës, tregon përse zgjodhi të përkthente pikërisht këtë roman, raportin e saj me “shpejtësinë” dhe si i sheh ajo “kërcimtarët” në politikë.

Sapo ka dalë në librari romani “Ngadalësia”, i Milan Kunderës, i cili është përkthyer nga ju. Një libër që të rrëmben, të zbavit e njëherësh të bën pjesë të meditimit mbi jetën bashkëkohore.

Si do ta komentonit këtë roman të Kunderës, në një kohë kur jeta jonë tashmë thuajse kontrollohet e gjitha nga “demoni i shpejtësisë”?

Mirela Kumbaro: Si një stacion ku lexuesi ndalet dhe dëgjon Kunderën tek i kujton se rendja brenda së cilës njeriu i sotëm jeton ka nevojë për këto çaste reflektimi për të kuptuar se për ku po rend. Prandaj romani është i shkurtër, më i shkurtri roman i Kunderës, si kohëzgjatja e shkurtër e pritjes së një autobusi në stacion. E kur autobusi vjen njeriu rend sërish, po të paktën ka kuptuar ironinë e shpejtësisë dhe lezetin e ngadalësisë.

Kundera na shtjellon me seriozitet po aq sa me skena zbavitëse e humori konceptin e “kërcimtarit”, sidomos të politikanit kërcimtar. Mendon se skena politike të dikton të njëjtën valle, ku gjithkush nxiton të shfaqet si në librin e Kunderës shpesh “duke ushqyer fëmijët somalez që vuajnë nga uria” vetëm e vetëm për të drejtuar gjithë dritat e kamerave nga vetja?

Mirela Kumbaro: Edhe ky moment është një tjetër stacion vëzhgimi i hollë që më shumë sesa humor, ka ironi, ka cinizëm, aq cinizëm sa ka jo rrallë edhe jeta e “kërcimtarëve” që duan të bëjnë politikë ose e politikanëve që kërkojnë duartrokitjet e kërcimtarëve. Unë mendoj se çdo skenë të vë nën presion për të tërhequr dritat mbi vete. Por sfida është si ta bësh publikun të të ndjekë, sepse beson dhe të provon për punën që bën dhe të duartroket edhe kur del nga skena, dhe jo për marifetet e ditës që kthejnë dritat fort një çast mbi ty por këto të fundit do të fiken shumë shpejt me të dalë nga skena. Vetëm se që ta kuptosh këtë do kohë.

Politika si e ka ndryshuar ritmin e jetës suaj, me çfarë shpejtësie jeton Mirela tani? 

Mirela Kumbaro: Ritmin e jetës nuk e ka ndryshuar shumë sepse gjithmonë kam qenë në lëvizje dhe me shumë angazhime duke bërë nga 3-4 punë e projekte njëherësh. Por ritmin e brendshëm po, atë e ka përmbysur. Sepse përgjegjësia është shumë herë më e madhe, sepse përballja me publikun dhe me ata që më kanë besuar është një peshë që duhet ta mbash lart. Prioritetet kanë ndryshuar. Nuk merr rëndësi projekti individual dhe as jeta personale, por projekti publik është qëllimi që nis ditën dhe bilanci me të cilin mbyll sytë natën. Shpejtësia është 24 orë në 24, 7 ditë të javës në 7.

Ju mungon “ngadalësia” e dikurshme, kur jo domosdoshmërish ju duhej të ishit kaq shumë në sytë e publikut? Jua ka vjedhur “ngadalësinë” tuaj politika? E keni harruar veten siç thotë Kundera?

Mirela Kumbaro: U përgjigja disi në pyetjen e mëparshme. Me thënë të vërtetën, unë s’e kam njohur ngadalësinë as në jetën e dikurshme, por ama kisha në dorë vetë të ngadalësoja nëse doja dhe ideja se e kisha këtë mundësi më mjaftonte. Tani nuk e kam më këtë mundësi. Nuk them dot se politika ma ka “vjedhur” ngadalësinë. Se nuk më zuri politika derën, e zgjodha të përfshihem në politikë, për të kontribuar në jetën publike pasi isha realizuar në jetën profesionale dhe në atë private. A e kam harruar veten? Më shumë e kam ridimensionuar veten dhe i kam dhënë asaj edhe kuptime të tjera.

Si e keni gjetur veten në këtë roman të Kunderës, lidhur me profilin tuaj publik tashmë si njeri i politikës dhe si ju ka ndryshuar ajo, apo qasjen tuaj ndaj të ndarit thuajse çdo ditë pjesë nga aktivitet që bëni apo merrni pjesë? Mirela Kumbaro: Nuk e gjej veten te personazhet e këtij romani. E gjej më shumë në anën e vëzhguesit, në anën e vet shkrimtarit që qëmton realitetin, dhe mbase kjo është edhe arsyeja që më shtyu ta përkthej se më pëlqen ky qëmtim, ky vëzhgim. Këtë rol nuk e luaj dot vetë në jetën reale sepse s’kam kohë, prandaj përkthimi i “Ngadalësisë” ma realizon në një farë mënyre këtë tundim. Ndërsa fakti që unë ndaj çdo ditë me publikun punën që bëj lidhet së pari me profesionin tim që është komunikimi, dhe nëse do të përshtatja thënien e Descartes-it “cogito, ergo sum” (unë mendoj, pra ekzistoj) do të thosha për veten « komunikoj, pra ekzistoj» ; dhe arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin se unë mendoj që e kam për detyrë të ndaj me publikun punët që bëj, mendimet që kam, projektet që mbështes. Është një dialog i përditshëm mbase jo i domosdoshëm për të gjithë, por i nevojshëm të paktën për mua.

Rrjetet sociale, beson se ato tashmë janë kthyer në një hapësirë ekzibicionizmi ku jetohet për të marrë sa më shumë “like”, sa më shumë vëmendje?

Mirela Kumbaro: Rrjetet sociale nuk janë qëllimi, por mjeti. Dhe gjithkush në varësi të qëllimit përdor mjetin. Por janë gjithashtu një mjet kaq i fuqishëm sa rrezikon të mos i kontrollojë dot më ai që i përdor. Madje mund të ndodhë e kundërta. Sot shoqëritë njerëzore rrezikojnë të kontrollohen nga mjeti që vetë prodhuan. Dhe ky është një rrezik për demokracinë. Është rrezik për të drejtat e njeriut. Manipulimi i opinionit publik, manipulimi komercial dhe më tej i vetë jetëve individuale është një skenar tashmë i prekshëm. Ende shoqëritë demokratike s’e kanë gjetur ekuilibrin midis mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe ruajtjes se të drejtave të tjera themelore që sfidohen fort nga “shteti global” i rrjeteve sociale.

“Të gjithë jetojmë nën vëzhgimin e kamerave”‘, pa to duket se asnjë zë nuk mund të dëgjohet, asnjë kauzë nuk mund të fitohet thuhet në librin e Kunderës… A jemi skllavëruar tashmë para gjithë kësaj?

Mirela Kumbaro: Mbase ende s’jemi skllavëruar, por jemi fort të rrezikuar siç e shpjegova më sipër.

Dhe diçka të fundit, ju zgjidhni shpesh provokimin si mënyrë për të tërhequr vëmendjen, siç bëtë me thënien për librat. Është ky roman i sjellë në shqip, një tjetër mënyrë për të kthyer vëmendjen nga gjëra thelbësore që lidhen me mënyrën tonë të të jetuarit? Mirela Kumbaro: Përdora mjetin për të arritur qëllimin ! Qëllimi është nxitja e leximit shumë fort i rrezikuar e i mposhtur prej teknologjisë dhe prej shkëputjes nga forma themelore të edukimit siç është libri. Por ky qëllim nuk arrihet pa u mobilizuar të gjithë ndikuesit në shoqëri, siç thatë ju nuk fitohet kauza po nuk u dëgjua. E thënë normalisht kauza nuk tërhiqte vëmendjen e publikut e sidomos të medias që duhet të luajë një rol parësor në këtë edukim. Për një qëllim të tillë sipëror, isha dhe jam e gatshme të përdor mjetin provokues që rrjetet sociale dhe mediet të kujtoheshin e të flisnin për lëvizjen për nxitjen e leximit. Po është luftë e gjatë kjo… se ja shiko, edhe sot më shumë flitet për mjetin provokues se sa për qëllimin e rëndësishëm që synoja. Mjeti është i shpejtë, qëllimi i ngadaltë.

Burimi: Dritare.net