Komisioni Europian miratoi një paketë prej 70 milionë eurosh për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të blerë vaksina anti-Covid dhe pajisjet e tjera të nevojshme.

Lajmin e ka dhënë komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, i cili është shprehur:

“Gjatë gjithë pandemisë, BE-ja ka treguar që ne e trajtojmë Ballkanin Perëndimor si partner të privilegjuar. Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke marrë hapa për të mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin kritik dhe grupet më të prekshme në rajon, në fillim. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar në përfundimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”.

Me paketën nën Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA II) do ndihmohet mbulimi i kostove të vaksinave për grupet prioritare, si dhe pajisjet e nevojshme të vaksinimit.