Vitet e fundit, “falë” rrjeteve sociale përballemi gjithmonë e më shumë me teori nga më të ndryshmet.

Kur hyn në Facebook mund të zbulosh se edhe fqinji yt në derën ngjitur ka një mendim për udhëtimin në Hënë. Mund të zbulosh se edhe ish-shoku yt i klasës, ai me rezultate më të ulëta ka një teori se nga erdhi koronavirusi. Të gjitha këto mendime në fakt janë një fenomen mendor që quhet Apofenia.

Është një term që vjen nga etimologjia greke. Termi u krijua nga neurologu gjerman Klaus Conrad për të treguar një lloj procesi mendimi psikotik, ndërsa sot e dimë që fenomeni është në natyrën njerëzore dhe jo domosdoshmërisht i lidhur me një psikozë, pra problem mendor.

Sipas neurologut zviceran Peter Brugger: “Qeniet njerëzore kanë një tendencë të përhapur për të parë rregull në konfigurimet e rastësishme”. Pra përpiqen të gjejnë nga ka ardhur virusi dhe të krijojë një histori që në mendjen e tyre bën sens, por që nuk është e vërtetë.

Apofenia: si funksionon mendja jonë?

Mendja jonë vihet menjëherë në punë kur marrim informacion. Çdo input i marrë në fakt është i përpunuar dhe, nëse është i ngjashëm me të tjerët tashmë të pranishëm në kujtesën tonë, ai ndërlidhet me to. Por jo gjithmonë i lidhim këto pika në mënyrë korrekte dhe nganjëherë dështojmë.

Të gjitha teoritë e konspiracionit janë shembuj fantastikë të apofenisë.

Një teori e famshme e konspiracionit është se Paul McCartney vdiq në 1966 si rezultat i një aksidenti automobilistik dhe për këtë arsye Beatles nuk kanë performuar më në publik (përveç Koncertit të Rooftop).

Më aktualet? Kemi këto të koronavirusit dhe vaksinës.