Ditën e djeshme, bota mori lajmin më entuziast që priste të dëgjonte prej kohësh. Një vaksinë anti-Covid-19, 90% efektive. Pyetja e parë që lind natyrshëm është: A do të mund ta sigurojë Shqipëria? Kur do të ndodhë kjo?

Gjatë një interviste për Euroneës Albania, ministrja Ogerta Manastirliu tha se vendi ynë do të ketë akses të barabartë për të siguruar mbi 1 milionë doza të vaksinës anti Covid-19. Diçka e tillë do të ndodhë nga momenti që ajo do të hidhet në treg.

“Pfizer/BioNTech është një prej kompanive që edhe instrumenti i COVAX-it, pra aleanca Gavi, për të cilin qeveria shqiptare ka marrë vendim për të parapaguar 1 milionë e 130 mijë doza vaksine, është pjesë e kompanive që financohen nga kjo aleancë dhe sigurisht duke qenë pjesë, jemi pjesë e aksesit në vaksinën e sigurt në momentin që ajo do të jetë në treg. Aleanca Gavi, ku ne bëjmë pjesë bashkë me dhjetëra shtete të tjera, siguron aksesin te vaksina e sigurt në momentin që ajo do jetë në treg dhe është një akses i barabartë për të gjithë.”– u shpreh Manastirliu.

Pfizer dhe BioNTech thanë që deri në 50 milionë doza të vaksinës mund të prodhohet këtë vit dhe 1.3 miliardë doza të tjera në 2021.

Përsa i përket kiteve për testeve të shpejta, ajo shtoi se do të veprohet sipas mekanizmit të siguruar nga Bashkimi Europian.