Koronavirusi (SARS-CoV-2) mund të mbijetojë shumë orë në lëkurën e njeriut, nëse lihet “i lire” për të vepruar. Ky fakt nënvizon edhe një herë tjetër rëndësinë e praktikimit të higjienës së duhur të duarve dhe dezinfektimin e rregullt gjatë pandemisë.

Një studim i ri, i kryer nga studiuesit japonezë në Universitetin e Mjekësisë në Kioto, ka zbuluar se koronavirusi mund të mbijetojë më shumë se nëntë orë në lëkurë. Studimi, gjithashtu, krahasoi aftësitë e jetëgjatësisë së koronavirusit me virusin e gripit A (IAV). Gripi i zakonshëm arriti të jetonte vetëm rreth 1.8 orë në lëkurë, pothuajse pesë herë më pak se koronavirusi.

“Këto rezultate tregojnë se SARS-CoV-2 ka një qëndrueshmëri dukshëm më të lartë në lëkurën e njeriut sesa ajo e gripit të zakonshëm (virusit të gripit A)”,- shkruajnë autorët. Studiuesit arritën në përfundimin se ky zbulim mund të “rritë rrezikun e transmetimit të kontaktit” me koronavirusin, duke përshpejtuar kështu pandeminë.

Për të shmangur infektimin e vullnetarëve të shëndetshëm, studiuesit thanë se ata kryen eksperimente laboratorike duke përdorur lëkurën e kufomave, e cila ishte marrë 24 orë më parë dhe do të përdorej për “transplante” të lëkurës.

Sidoqoftë, nga eksperimentet u zbulua gjithashtu se të dy, koronavirusi dhe IAV inaktivizohen më shpejt në lëkurë sesa në sipërfaqe të tjera të tilla si çelik, inox, qelqi ose plastika. Një studim i mëparshëm kishte arritur në përfundimin se koronavirusi mbetet i qëndrueshëm deri në 72 orë në sipërfaqe.

Të dy viruset u zhdukën njëkohësisht brenda 15 sekondave nga sapuni i duarve që përmbante 80% alkool.

Studimi u botua në revistën “Clinical Infectious Diseases”, më 3 tetor.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), aktualisht rekomandojnë përdorimin e dezinfektantëve të duarve me bazë alkooli, me 60 për qind deri 95 për qind alkool ose larjen e duarve me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda. Studimet kanë treguar se transmetimi COVID-19 kryesisht ndodh përmes aerosoleve dhe pikave.

“Këto studime mbështetin hipotezën se higjiena e duhur e duarve është e rëndësishme për parandalimin e përhapjes së SARS-CoV-2. Kështu, ky studim mund të kontribuojë në zhvillimin e strategjive më të mira të kontrollit në kontekstin e COVID-19 për të parandaluar shfaqjen e një vale të dytë apo të tretë të kësaj pandemie”,- theksuan autorët.

Burimi: Class