Një nga figurat më të zëshme në sferën e mbrojtjes së lirisë së shprehjes, Flutura Kusari, në vazhdimësi denoncon  rastet që pengojnë gazetarët në kryerjen e aktiviteteve të tyre profesionale.

Së fundmi, juristja e të drejtës së medias, ka reaguar lidhur me dënimin që kohë më parë pati marrë gazetari nga Mali i Zi, Jovo Martinovic.

“Një shtet i poshtër si Mali i Zi me një sistem gjyqësor të kapur e të kalbur sikur në krejt rajonin, normalisht që e dënon një ndër gazetarët e tij më të mirë Jovo Martinovic, me 1 vjet burg për kinse ndërmjetësim në shitje të narkotikëve. Jovo ka qenë në kontakt me burime për një storje ekskluzive. Jovon e kemi mbështetë përmes ECPMF dhe dhjetëra organizata tjera që disa vjet dhe nuk kemi me u dorëzu”, shkruan Kusari.

 

 

Kujtojmë që një gjykatë në Malin e Zi e pati dënuar me një vit e gjysmë burg gazetarin investigativ, Jovo Martinovic, përmes një procesi gjyqësor, të cilin, organizatat ndërkombëtare të mediave e kanë dënuar duke e quajtur si “padrejtësi të tmerrshme” dhe “prapakthim shqetësues” për lirinë e mediave në vend. Gjykata në Podgoricë e dënoi Jovo Martinovicin më 15 janar nën akuzat për trafikim droge dhe lidhje kriminale./femmagazine.3klikanet.local