Presidenti Trump ka surprizuar militantët dhe admiruesit e tij. Ka dalë për pak minuta nga spitali, me makinë dhe i ka përshëndetur me dorë gjatë një xhiroje të shkurtër me eskortën e tij.

Presidenti i infektuar me Covid-19 ndodhej në sediljet e pasme të makinës, ndërsa para ishte shoferi dhe një shoqërues.

Një prej mjekëve të klinikës Walter Reed ku po kurohet e quajti akt papërgjegjshmërie këtë. Sipas tij Trump nuk mund të vërë në rrezik jetën e njerëzve të tjerë që kishte në makinë vetëm për të bërë një përshëndetje.

Ndërkaq stafi i Trump është kundërpërgjigjur duke sqaruar se në fakt ishte diçka e planifikuar dhe shoferi me shoqëruesin e tij ishin të maskuar nga koka tek këmbët, me maskë dhe veshje speciale.

Përfaqësuesi e Shtëpisë së Bardhë sqaron gjithashtu se leja është marrë nga ekipi mjekësor që po kujdeset për Trump.

Presidenti është shtruar që prej mesnatës së të shtunës, pak orë pasi rezultoi pozitiv ndaj Covid. E infektuar është Zonja e Parë Melania Trump dhe këshilltarja e Trump Hope Hicks, që shfaqi edhe e para shenjat e virusit.

Burimi: VOA