Themeluesi japonez i markës së modës Kenzo ka ndërruar jetë si pasojë e Covid-19. Lajmin e ka bërë të ditur për mediat një zëdhënës i firmës së famshme.

“Kenzo Takada u nda nga jeta në Paris në moshën 81-vjeçare”, thuhet në deklaratën e bërë publike nga mediat franceze.

I njohur për printimet e tij grafike shumëngjyrëshe dhe me lule, Kenzo ishte dizajneri i parë japonez që mori famë në skenën e modës në Paris. Ai u vendos në Francë në vitet 1960 dhe pjesën tjetër të karrierës së tij e kaloi atje.

“Me gati 8,000 modelet e tij, ai kurrë nuk pushoi së festuari për modën dhe artin e të jetuarit”, tha ndër të tjera zëdhënësi i tij.

Lindur në vitin 1939 afër Osakës, Kenzo Takada mbërriti në Francë në 1965 me anije dhe u vendos në Paris, ku dhe themeloi markën e njohur ndërkombëtarisht me emrin e tij, në vitet 1970.

Më pas, në 1993-shin, stilisti ia shiti markën e tij të veshjeve konglomeratit luksoz LVMH dhe u tërhoq nga moda gjashtë vjet më vonë.

Burimi: BBC