Ato pesë shkronja që i kisha përmendur qindra mijëra herë gjatë pesë muajve të raportimit, e për të cilat kisha folur vetëm keq, kishin vendosur të më hakmerreshin. Kur u gjenda më pak e rrezikuar, organizmi nisi të luftonte me diçka të pazakontë, të paktën gjer në ato çaste.

Vërtetësinë se trupi im po përballej me diçka të padëshirueshme e dha Instituti i Shëndetësisë.

Ishte e shtuna e dytë e gushtit, kur dëshpërimisht iu dorëzova njoftimit se edhe unë isha e prekura, në mesin e 190 të tjerëve të cilëve u kishte nisur dita mbrapsht. Një statistikë kjo për të tjerët që rastet pozitive i matnin me peshoren ‘pak’ ose ‘shumë’.

E vërteta ishte se ditët kur unë nisa këtë luftë të pabarabartë, dominonte vetëm fjala ‘shumë’. Duke mos e bërë veten të ligë para fëmijëve e bashkëshortit, të tre negativë, vendosa që përpëlitjet e para të shkaktuara nga ‘i huaji’, i cili po gjente labirinthe për t’u fshehur në organizmin tim, t’ia ‘qerasja’ vetes me hezitimin për të mos i ndërruar vendbanim virusit.

Teksa mushkëritë i ishin dorëzuar sëmundjes, pjesa tjetër e brendësisë, e ndihmuar nga qesja varur, po orvatej t’i bishtnonte armikut. Porse s’po ia dilte.

 

Me gjendjen që rëndohej dita-ditës, u zbut edhe kokëfortësia ime për të mos hyrë sërish në Infektivë, këtë herë si paciente.

Mëngjesi i 20 gushtit më zbardhi nën dritat neon në dhomën nr. 3 të repartit E të Klinikës. Pika që shoqëronin njëra-tjetrën e që po e sulmonin me krejt artilerinë mjekësore vendndodhjen e armikut, por edhe tingujt shpresëdhënës që lëshonin aparaturat e pakta në hapësirën të cilën e ndaja edhe me një paciente, tregonin se sa e vlefshme ishte jeta, se sa të pazotë jemi kur na sulmon diçka, qoftë edhe mijëra e mijëra herë më i vogël se vetë ne.

Ditët vijuese nuk sollën përmirësimin që prisja. Përkundrazi, gjendja rëndohej e krahas saj, për herë të parë nisa ta mendoja më të keqen. Në njërën prej mbrëmjeve, kur infermierja mundohej me batuta të më dispononte, unë thuajse i kisha humbur shpresat se do t’ia dilja. Ishte ky ai momenti kur ndihesh krejt e pafuqishme dhe e rrënuar gjer në palcë. Gjithçkaje iu zvogëlua vlera, aq sa peshonte vetëm me një frymëmarrje. Arritjet, shkollimi, puna, angazhimi, karriera, nuk kishin më asnjë rëndësi.

Ajo ishte nata më e keqe e disa prej të tillave që i kalova në atë shtëpi të bardhë.

Dyjavëshi, pas të cilit shumica e shpallnin fitoren përballë së keqes, më gjeti të shtrirë në Infektivë, e rrethuar nga një staf i përkushtuar e për të cilin isha bërë ‘rast studimi’ pas shfaqjes së një alergjie, e paparë tek pacientë të tjerë.

Pavarësisht gjendjes jo të kënaqshme, pas konfirmimit se më nuk isha ‘pozitivja’ e asaj dhome, mjekët u pajtuan që trajtimin ta vazhdoja në banesë, e cila më shumë i ngjante një barnatoreje, muret e së cilës nuk ishin mveshur kurrë më parë me aromë medikamentesh: shiringa, ampula, qese infuzioni etj.

Edhe gjatë kësaj kohe, nuk pushoi interesimi i miqve dhe të afërmve për shëndetin tim. Shumica prej tyre ishin pjesë imja, e kësaj ëndrre të keqe të cilën u detyrova ta shihja. Nuk u ndanë nga unë përmes komunikimit virtual, ashtu siç bënë bashkëshorti e fëmijët duke më qëndruar pranë fizikisht.

U desh kohë që ta merrja guximin e ta përqeshja armikun, pasi nuk isha e sigurt se ai s’do të kthehej për t’u revanshuar për goditjen që i kishte dhënë organizmi im.

Sot, e forcuar dhe e rrethuar nga familjarë e miq, e shikoj me mospërfillje atë keqbërës, si tytën e një ushtari që është i shtrënguar të qëllojë edhe të pafajshëm.

Ai do të jetë armiku im, edhe pse s’jeton më tek unë. Do të vazhdoj ta sfidoj në formën si e kam bërë nga muaji mars. Gjersa të vijë dita kur askush prej nesh mos ta përmendë atë emër të lig, siç veprova dhe unë në këtë rrëfim!

Autorja është gazetare shumëvjeçare në Radio Televizionin e Kosovës.