Një ish-modele e ka akuzuar presidentin Donald Trump për sulm seksual ndaj saj në turneun e tenisit US Open në 1997-ën.

Në një rrëfim për The Guardian, Amy Dorris pretendoi se presidenti amerikan e sulmoi kur ajo ishte 24 vjeçe.

Nga ana tjetër, Trump i mohon me forcë akuzat nëpërmjet avokatëve të tij, duke thënë se ai kurrë nuk ka ngacmuar, abuzuar ose është sjellë në mënyrë të papërshtatshme ndaj ish-modeles.

Dëshmia e Dorris konfirmua edhe nga miq e të afërm të cilëve ajo u kishte treguar për incidentin. Ata u shprehën se detajet e raportuara nga gazeta përputheshin me ato që ajo u kishte përshkruar atyre në atë kohë.

Amy Dorris gjithashtu u tregoi gazetarëve biletën e saj për US Open, si dhe gjashtë foto ku shfaqej me presidentin për disa ditë në New York.

Ish-modelja tha se ajo shkoi në New York me të dashurin e saj në atë kohë, Jason Binn, i cili ishte një mik i ngushtë me Trump.

Dorris pretendoi se Trump e sulmoi pasi ajo shkoi në tualet. Ajo rrëfeu i kërkoi presidentit të ndalonte, por ai nuk e bëri.

Dorris tha se nuk ishte e sigurt nëse ia tregoi detajet e plota të incidentit të dashurit të saj të atëhershëm, por kujtoi se i kërkoi atij që t’i thoshte Trump-it ta linte të qetë.

Jason Binn nuk iu përgjigj kërkesave të gazetës për komente.

Ish-modelja 48-vjeçare, e cila është nënë e dy fëmijëve, tha se ajo kishte menduar të fliste për këtë gjë në vitin 2016, kur një numër grash kishin akuzuar publikisht Trump-in për sulm seksual, por vendosi të mos e bënte këtë gjë për të mbrojtur familjen e saj.

Burimi: Class