Ministrja e Kulturë, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ishte e pranishme në ceremoninë e zyrtarizimit të Ligës së Përbashkët të Basketbollit 
Dumoshi me kete rast ka deklaruar se themelimi i ligës së përbashkët është sukses i jashtëzakonshëm i bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Sonte, në praninë e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, Besa Shahini dhe unë si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) dhe Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) nënshkruan marrëveshje historike për themelimin e Ligës së basketbollit, mes dy shteteve, që do të quhet “Liga UNIKE”.
Sipas ministres, Dumoshi, ky është një hap i madh për sportin dhe u ka hapur rrugë edhe sporteve tjera që të fuqizojnë bashkëpunimin ndërmjet federatave përkatëse.
“Për mua, si ish-sportiste e punëtore shumëvjeçare sportive dhe si një person që tërë jetën e ka kaluar në sport dhe përkrah tij, krijimi i një gare zyrtare të përbashkët mbarëkombëtare përbën realizim të një ëndrre të kahmotshme. Jam e bindur se të gjithë sportistët nga Kosova ndajnë këtë ndjenjë timen. Kënaqësi që federatat tona nënshkruajnë një marrëveshje që shënon një sukses kaq të madh sportiv mes dy vendeve tona.
Bashkë jemi gjithmonë më të fortë”, ka përfunduar ministrja Dumoshi./femmagazine.3klikanet.local