Siç dihet nga të gjithë, Instagrami është kthyer në një “bankë” të ardhurash jo vetëm për një pjesë të mirë të bizneseve të ndryshme që operojnë në treg, por edhe për shumë personazhe, të njohur ndryshe si influencues të modës, stilit të jetës apo qoftë edhe të një jete të shëndetshme e aktive që synon secili prej nesh.

Në një artikull të Huffington Post, pak javë më parë, disa prej emrave më të njohur në fushën e modës, si Mallory Cornelison apo Valeria Hinojosa, kanë zbuluar shifra marramendëse fitimi nga postimet në rrjetet sociale apo edhe në YouTube. Këto influencuese të rrjetit, mjaftojnë të postojnë një produkt nga një kompani e njohur (ose jo) kozmetike, veshjesh apo produktesh të tjera bukurie dhe shifrat vazhdojnë të shtojnë zerot.

Siç shkruhet në artikullin e HP, Mallory Cornelison, për shembull, me afro 30k ndjekës dhe 110k abonentë në YouTube, fiton nga rrjetet sociale 12 mijë dollarë në vit, nga YouTube 5 mijë dhe 5-7 mijë dollarë nga sponsorizimet.

Natyrisht, një faktor shumë i rëndësishëm është numri i ndjekësve – sa më i lartë, aq i lartë është edhe çmimi që vendoset në kompromis për postimin.

Po çfarë ndodh në Shqipëri? Sa paguhen inluencueset e Instagramit për një postim?

Në parim, gjithçka funksionon njëlloj edhe për ne. Element shumë i rëndësishëm edhe këtu është numri i ndjekësve në rrjetet sociale dhe në YouTube.

Disa prej emrave më të njohur në Shqipëri, që ju frymëzojnë vazhdimisht për modën, stilin e jetës së shëndetshme, aktivitetin sportiv, udhëtimet etj., mund të paguhen mjaftueshëm, mirë, por edhe shumë mirë për marrëveshjet që bëjnë me kompanitë e ndryshme të produkteve që reklamojnë në llogaritë e tyre. Por gjithmonë, ka një përgjigje absolute për të qenë brenda: “Varet…”

Estela Ujka, një prej influencueseve më familjare të rrjetit që, me siguri, të gjithë e ndiqni, në një prononcim për Class, thotë se për të dhe për bloggers që bashkëpunojnë me agjencinë e saj, pagesa për një produkt që reklamohet varion në varësi të ndjekësve: “Për një influencuese me ndjekës deri në 50K, për agjencinë tonë, pagesa shkon deri në 200 euro për një postim. Ndërkohë që deri në 100K shkon 300-400 euro për një postim.”

Siç shton Estela më tej, kompanitë që duan të reklamojnë produktet e tyre përmes inflencueseve të Instagramit, shikojnë edhe “origjinën” e ndjekësve. Ata duhet të jenë realë, por edhe “nëse janë 1 milion në Indi apo Kinë, s’të paguan njeri…”

Numri i ndjekësve është elementi i parë që bizneset shohin para se të të bëjnë një propozim, por pas këtij, faktor shumë i rëndësishëm është edhe vërtetësia e personazhit në rrjet: “Kontenti që krijon në Instagram, sa e vërtetë je në atë që bën dhe thua: “Nëse thua për çdo produkt “i mirë”, ul kredibilitetin e brandit tënd. Por mbani parasysh që kompanitë, së fundmi, po matin feedback-un edhe te kompania e tyre; pra sa ndjekës u kanë ardhur nga story-t me këtë postim, nga një giveaway, nga sponsorizimi etj. Dhe në këtë mënyrë nisin të bëjnë planet e tyre për të matur në fund suksesin”, – shton Estela duke iu referuar rasteve të saj dhe të blogereve të tjera që bashkëpunojnë me agjencinë e saj.

Burimi: Revista Class