Sahar Fares, 27 vjeç, po planifikonte dasmën, por në vend të kësaj, familjarët mbajtën një ceremoni mortore, pas shpërthimit shkatërrues të Bejrutit. Të enjten, familjarët dhe i fejuari, Gilbert Karaan, organizuan një ceremoni të ngjashme me një dasmë, të cilën Sahar nuk pati fatin ta shijonte sa ishte gjallë.

Një bandë për dasmat luajti muzikë, të tjerë u ranë daulleve, familjarët hodhën oriz dhe petale lulesh. Kjo ishte ceremonia që u kthye në simbol të dhimbjes së Libanit. Muzikatët luanin muzikë, ndërsa zjarrfikësit me uniformë mbanin arkivolin e bardhë, me të cilin Gilbert-i përpiqej të “vallëzonte”.

“Çdo gjë që deshe do të jetë në dasmë, përveç teje,” shkroi ai në rrjete sociale. “Më ktheve shpinën e dashur, më theve zemrën. Jeta s’ka më kuptim tani që ti nuk je më.”

Sahar, 27 vjeç, ishte një nga viktimat e shpërthimit që në pak sekonda shkatërroi kryeqytetin duke e kthyer në një zonë që ngjasonte me një vend pas lufte. Çdo vdekje është një tragjedi më vete, por historia e Sahar është shpërndarë më shumë në rrjete sociale duke u kthyer në simbol të dhimbjes së libanezëve.

Sahar i ishte përkushtuar shërbimit publik dhe kishte plane për të ndërtuar një familje. Ajo shërbente si një person i trajtuar që ofronte kujdes mjekësor urgjent për njerëzit e sëmurë rëndë nga një dukuri e papritur ose përpiqej t’i stabilizonte derisa të vinte ekipi i specializuar spitalor.

Sahar telefonoi të fejuarin të martën për t’i treguar për një zjarr që kishte shpërthyer në portin e Bejrutit. Askush nuk kishte nevojë për ndihmë mjekësore, kështu që Sahar u mbështet në një pajisje për fikjen e zjarrit aty rrotull dhe po vështronte zjarrfikësit teksa përpiqeshin të shuanin flakët.

Më vonë, ajo telefonoi Gilbert-in për t’i dhënë një vështrim të përgjithshëm për zjarrin. Tingujt janë të çuditshëm, i tha ajo, tinguj të cilët nuk i kishin hasur kurrë. Ai iu lut që të kërkonte që të largohej, të njëjtën gjë i thanë edhe të afërmit. Por ishte shumë vonë. Më pas, shpërtheu gjithçka.

“Nusja ime e bukur. Dasma jonë ishte parashikuar të mbahej më 6 qershor 2021. Por jo, do të jetë nesër e dashur,” shkroi Gilbert. “Të kam dashur, të dua dhe do të të dua gjithmonë, derisa të ribashkohem me ty dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë.”

E trajnuar si infermiere, Sahar vendosi që në vitin 2018 të bëhej pjesë e shërbimeve civile. Ajo preferoi stabilitetin e punës dhe përfitimet shoqërore si një e punësuar në shtet, pasi pa vështirësitë që kaloi i ati me profesion saldator dhe e ëma, mësuese në shkollë.

Sahar u rrit në fshatin Al Qaa, në veri të Libanit, në kufi me Sirinë. Gjithë jetën, ëndërroi për qetësi, të cilën nuk e pati kurrë. Në vitin 2016, Shteti Islamik sulmoi Al Qaa dhe vrau pesë banorë e plagosi dhjetëra të tjerë. Një kushërirë e Sahar ndërroi jetë.

Shumë banorë të zonës e përshkruajnë vdekjen e saj si diçka shumë të tmerrshme për t’u përballuar. Kryetari i Bashkisë së Al Qaa u shpreh se “Sahari është simbol i njerëzve që i përkushtohen kombit dhe humbasin gjithçka”. “Do të doja të kishte një komb ku t’ia vlente sakrifica dhe përkushtimi i saj. Do të doja të kishim një shtet të denjë.”

Muaj më parë, Sahar kishte nisur të kursente për të blerë fustanin e dasmës dhe gjërat e tjera të nevojshme për ceremoninë, e cila u organizua, por pa të.

Burimi: Anabel