Shpërthimi i fuqishëm që goditi Bejrutin këtë javë, përveç viktimave dhe mijëra të plagosurve, “goditi” befasisht edhe industrinë e modës, pikërisht disa nga stilistët me famë botërore si Zuhair Murad, Elie Saab dhe Rabih Kayrouz. Në një kohë kur Libani po përballej m krizën e rëndë dhe kolapsin ekonomik dhe jetik të shkaktuar nga Covid-19 dhe pandeminë globale me “armikun e padukshëm”, erdhi krejt papritur një goditje tjetër fatale.

Shpërthimi i 4 gushtit, që besohet se është shkaktuar nga 2,750 tonë nitrat amoniumi të depozituara në gropat e qytetit për gjashtë vjet, la pas gati një bilanc lufte: 137 viktima dhe mijëra të plagosur. Shpërthimi ishte aq i fortë sa shkatërroi gjithçka rrotull, një pjesë të mirë të portit, por edhe shumë qendra biznesi, dyqane të pozicionuara aty, etj.

Rreth 200 punonjës, si pjesë e stafit të Zuhair Murad, u larguan nga selia 11-katëshe ku ishte vendosur atelieri dhe dyqanet e stilistit të famshëm vetëm 10 minuta përpara shpërthimit të madh.

“Ne humbëm gjithçka. Të gjitha kujtimet e mia ishin këtu. E ndërtova këtë biznes gurë-gurë, natë e ditë. Ishte ëndrra ime të ndërtoja shtëpinë time të modës në Beirut, në qytetin tim, në Liban, ku unë u linda, por brenda sekondës gjithçka u shkatërrua dhe unë humba gjithçka”, thotë stilisti i famshëm Murad.

Fatkeqësia vjen në një kohë kur industria e modës në Liban ishte duke luftuar për të mbijetuar, duke u përplasur nga inflacioni dhe duke parë se si paundi libanez humbiste 80 përqind të vlerës çdo ditë. Bizneset e stilistëve pësuan shumë humbje pasi pandemia e koronavirusit filloi të godasë kërkesën lokale dhe globale për produktet e tyre.

Për dekada, Libani ka luajtur një rol të rëndësishëm në industrinë rajonale dhe atë globale të modës. Në vitin 2017-të, tregu i modës në Liban kishte një vlerë afro 1.5 miliardë dollarë, sipas Fitch Solutions. Sidoqoftë, realiteti është se kriza e trefishtë – ekonomike, shëndetësore dhe humanitare aktuale do të jetë e vështirë të kapërcehet.

Reagimi ndërkombëtar, i kryesuar nga vizita e Presidentit Francez Emmanuel Macron në vend, do të jetë thelbësor për rimëkëmbjen dhe një rritje e ndihmës ndërkombëtare mund të kushtëzohet nga reforma qeveritare në një vend të famshëm për paqëndrueshmërinë e tij politike.

Ndërkohë, rezistenca e njohur e popullit libanez, një popullsi që ka kapërcyer luftërat civile dhe krizat morale në të kaluarën do të testohet si kurrë më parë.

Burimi: Revista Class