Mësimi për vitin e ri shkollor 2020/2021 mund të nisë në distancë. Ministria e Arsimit po i konsideron tri skenare për nisjen e vitit të ri shkollor. Mund të mbahet mësimi i kombinuar, prezent dhe mësim në distancë apo mësimi përmes TV-së.

Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Diellza Kukaj, tha për Radio Kosovën se ministria po bën të gjitha përpjekjet për të filluar mësimi në mënyrë të rregullt.

“Është skenari i parë, që do të thotë të kemi mësim me prezencë në institucione, ku parashihet të mbrohemi me masat e rekomanduara, si shkurtimi i orëve, distanca, shkurtimi i grupeve, etj; Skenari i dytë parasheh mësimin e kombinuar: prezent dhe mësimin në distancë dhe skenari i tretë, nënkupton kushtet që nuk parashihet të mbahet mësimi në shkollë, atëherë kemi mësimin në distancë në TV dhe përmes platformës online”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka thënë se kjo ministri është duke konsultuar praktikat në rajon.

“Ministria e Arsimit është duke konsultuar praktikat më të mira në rajon, për mbajtjen e mësimit në distancë, me kosto më të përshtatshme në kushte dhe mundësitë në Kosovë, në përputhje me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe efektivitetit, në mënyrë që viti i ri shkollor të jetë mirë i përgatitur, më gjithëpërfshirës dhe më cilësor”, ka treguar ajo.

Për shkak të situatës së krijuar nga virusi në COVID-19 mësimi në gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2019/2020 ishte mbajtur përmes televizionit publik.

Burimi: RTK