Nuk besojmë se ka ndonjë datë specifike për të pasur një ditëlindje të lumtur, por ja që dikush mendoi të intervistonte njerëzit për të ditur se kur është dita më e lumtur e ditëlindjes a thua se e kemi ne dorë ta zgjedhim.

Interflora, kompani shpërndarëse e luleve që operon me 58,000 dyqane në 140 vende, intervistoi (via Elite Daily) 2,000 njerëz në Britaninë e Madhe për të zbuluar pikërisht ditën më të lumtur të ditëlindjes.

Duhet thënë se 2,000 njerëz përbëjnë një studim jo fort voluminoz, megjithatë sipas tyre, dita më e lumtur është pikërisht sot – 28 korrik.

Studiuesit pyetën njerëzit se si ndjeheshin për ditëlindjet e tyre dhe u përpoqën të shpjegonin gjetjet në përputhje me rrethanat. Në përgjithësi, ata zbuluan se njerëzit e lindur në muajt e verës ndihen shumë më pozitivë për ditëlindjet e tyre sesa të tjerët. Konkretisht, në qershor, 60% e njerëzve ishin të kënaqur me ditëlindjet e tyre; në korrik, 59%; dhe në gusht, 53%.

28 korriku u zgjodh bazuar në disa kritere: Data ka shumë të ngjarë të jetë ditë me diell, është afër marrjes së rrogës dhe është gjatë verës.

Ditëlindjet e dimrit ishin çuditërisht pak më të trishta. Konkretisht dita më e keqe u zgjodh 16 dhjetori, sepse ishte afër me Krishtlindjet dhe parapërgatitjet zbehnin festën (po dikush që ka lindur më 25 dhjetor, ç’supozohet të thotë?!). Mendohet se ditëlindjet në dimër nuk janë fort argëtuese për shkak edhe të motit.

Burimi: Anabel