Sukseset e filmit ‘Shpia e Agës’, nuk kanë të ndalur. Së fundi, ky projekt kinematografik, është nominuar edhe për katër çmime të tjera në ‘Pula Film Festival’ të Kroacisë.

Bëhet e ditur se filmi  është nominuar në kategoritë Filmi më i mirë, Regjia më e mirë, Aktorja dhe Aktori më i mirë.

Regjinë e këtij filmi e ka bërë, Lendita Zeqiraj, derisa në garë për çmim në këtë festival janë edhe Rozafa Çelaj, në kategorinë Aktorja më e mirë dhe Arti Lokaj, Aktori më i mirë.

Këto katër nominime janë për çmimin ‘Arena e Artë’, çmim ky që ndryshe konsiderohet edhe si Oskari i Kroacisë.

Pula Film Festival ka qenë në plan që të mbahet në muajin Korrik të këtij viti, mirëpo situata me pandeminë ka pamundësuar mbajtjen e festivalit, duke e shtyrë kështu për në shtator.

Vlen të ceket se ‘Shpia e Agës’, deri tash ka marrë pjesë në mbi 30 festivale ndërkombëtare, me mbi 35 nominime dhe 18 çmime.