Që nga e hëna, qytetarët e Prishtinës do të mund të bëjnë teste serologjike për Covid-19. Këto teste bëhen përmes gjakut dhe tregojnë nëse personi është dhe ka qenë i infektuar me koronavirus, mirëpo edhe për këtë test do të bëhet një përzgjedhje e pacientëve.

Vetëm ata me simptoma më të theksuara do t’i nënshtrohen këtij testi, shkruan Gazeta Metro.

Bujar Gashi, drejtor për shëndetësi në Komunën e Prishtinës, ka thënë se vetëm nëse keni simptoma të dyishnta dhe shqetësime do t’i nënshtroheni këtij testi.

“Nga nesër mund të lajmroheni te mjeku juaj në QMF’të tuaja nëse keni shqetësime dhe simptoma të dyshimta në lidhje me Covid-19, aty do të udhëzoheni për veprimet e mëtutjeshme. Në qoftë se mjeku mendon se testi serologjik ndihmon në trajtim atëherë do të testoheni”, ka njoftuar Gashi të dielën në Facebook.

Sipas Gashit, vetëm mjeku e përcakton nëse duhet të kryeni testin, duke larguar mundësinë që ta bëjnë të gjithë.

Edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti me anë të njoftimit për pranimit e këtyre testeve ka bërë me dije se do të fillojnë me testim të qytetarëve, duke prioritizuar grupet e rrezikuara me simptome.

“Nga e hëna do të fillojmë edhe me testim të qytetarëve, duke prioritizuar grupet e rrezikuara me simptome. Momentalisht jemi me kapacitet rreth 100 teste në ditë e brenda dy javësh do jemi me kapacitet rreth 400 në ditë”, ka njoftuar Ahmeti.

Këto teste po bëhen përmes sektorit primar shëndetësor, pra Qendrave të Mjekësisë Familjare, që janë kompetencë e Komunës së Prishtinës. do të bëhen nga 100 teste në ditë, për të vazhduar me nga 500 sosh në baza ditore. Sipas Ahmetit , përparësi testimi do të kenë qytetarët me simptoma të sëmundjes dhe personat mbi 60 vjeç.

Ende nuk dihet çmimi i testit serologjik, meqenëse ende nuk është vendosur për këtë. Testet serologjike, por edhe ai i PCR-së, do të mund të bëhen edhe në klinika private. Testi PCR përcakton nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

Me anë të testimit serologjik, mund të rritet numri i personave të identifikuar të infektuar, por që janë asimptomatikë, e që është një përqindje e madhe.

Sipas profesionistëve shëndetësorë kjo me automatizëm do të ndikonte në parandalim të infeksionit pasi që rastet do të izoloheshin dhe do të pengohej përhapja në komunitet. Andaj, kjo edhe është arsyeja që shumë shtete e kanë aplikuar që nga fillimi i pandemisë testin serologjik.