Pas ceremonisë sekrete, Buckingham Palace ka publikuar fotot e princeshës Beatrice dhe manjatit të pronave, Edoardo Mapelli Mozzi. Të dyja fotot zyrtare janë realizuar në The Royal Chapel of All Saints në Windsor ku u organizua ceremonia. Në një prej fotove, duket çifti i sapomartuar teksa qëndron pranë një harku të zbukuar me lule.

Në foton tjetër, princesha shihet pranë (jo dhe aq pranë në fakt, për çështje sigurie ndaj Covid-19) gjyshërve, mbretëreshës Elizabeth II dhe dukës së Edinburgh-ut, princit Philip.

Beatrice zgjodhi të vishte një fustan vintage të mbretëreshës, realizuar nga dizajneri britanik Norman Hartnell, i cili është i punuar me diamante. Veshja u rimodelua dhe u përshat nga rrobaqepësja historike e mbretëreshës, Angela Kelly dhe stilisti Stewart Parvin. Beatrice mbante vënë në kokë diademën që vetë mbretëresha vendosi në ditën e dasmës me princin Philip.

Fillimisht, Beatrice u detyrua ta shtynte dasmën për shkak të skandalit të të atit, princit Andrew. Pastaj, tensionet në familjen mbretërore pas vendimit të Meghan dhe Harry-it, ia bënë edhe më të vështirë kurorëzimin, por më në fund u duk sikur çifti ia doli të planifikonte një datë. Ata do të martoheshin më 29 maj në The Chapel Royal, por mbretëresha Elizabeth II anuloi çdo event për shkak të koronavirusit.

Mapelli Mozzi – i njohur si Edo – dhe Beatrice u takuan dhe nisën të dilnin në vjeshtën e vitit 2018. Ata u fejuan gjatë një udhëtimi fundjave në Itali, shtatorin e kaluar. Ai ka edhe një djalë me ish-të fejuarën Dara Huang. Dasma e princeshës dhe Edoardo-s ishte planifikuar kohë më parë, por fati deshi që të anulohej disa herë.

Beatrice, e cila është e nënta në radhë për fronin, punon për Afiniti, një firmë e inteligjencës artificiale, ku shërben si nënkryetare e partneriteteve dhe strategjive.

Burimi: Anabel