Nuk mund të heqësh dorë kurrë nga varëset me perla! Janë ndër aksesorët më të hershëm ndoshta, por dhe ata më rezistent ndaj kohës dhe trendeve.

Secili ka një mënyrë të vetën për t’i kombinuar. Chanel i vinte njëra pas tjetrës, bashkë me vathët dhe byrzylykun. Balenciaga preferonte vetëm një varg me perla mesatare për qafën e modeleve të tij.

Sot varëset apo aksesorët me perla janë ende shumë të bukur dhe shik. Ama, duhet të zgjidhni madhësinë që ju shkon më shumë. Mund të zgjedhësh varëse nga trendet e reja, byrzylyk për kyçin e këmbës, unaza apo kapse.

Shumë influencuese kanë filluar të pëlqejnë luledelet. Vathë me lule dele, varëse dhe byrzylykë. Madje i pamë dhe tek sfilata e Jacquemus pranverë/verë 2021 vathët me luledele të mëdha e të rënda.

Nëse deri dje nuk e mendonim të kombinonim këmisha xhins me varëse perle, ja ku e keni shembullin që këto të dyja bashkë shkojnë më së miri.

Por, ja që perlat mund t’i vendosësh dhe në flokë! Zgjedhje paksa e guximshme për përditshmëri, por ideale për evente.

Nëse do ta bësh këmishën tëndë të bardhë të duket “wow”, provo të shtosh kopsa me perla, ose rruaza.

Unazat me gërma po vazhdojnë të jenë të preferuarat e blogereve, sidomos kur vendos disa nëpër gishta, do dukesh akoma më me stil.

E bukura e aksesorëve është se sado thjeshtë apo casual të jesh veshur, nëse shton dozën e duhur të detajeve (vathë, unaza, karfica, kopsa, byrzylykë), mund ta shndërrosh veshjen tënde në një mijë dollarëshe!