Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit ka paralajmëruar për rrezikshmërinë e një loje të re virtuale që quhet “Jonathan Galindo”, e ngjashme me disa nga lojërat virtuale si “Balena Blu” dhe “Momo”.

“Jonathan Galindo”, i njohur edhe si “Cursed Goofy”, është një personazh i përshkruar si një njeri i veshur me një maskë qeni “Goofy” dhe është i lidhur me sfidën Balena Blu.

Përdorues anonimë krijojnë profile duke përdorur emrin “Jonathan Galindo” dhe duke përdorur imazhe të ndryshme të “Cursed Goofy” dhe më pas iu dërgojnë mesazhe grave dhe fëmijëve nëpërmjet platformave të mediave sociale, duke i pyetur ata nëse dëshirojnë të luajnë një lojë, duke iu referuar sfidës së Balenave Blu, e cila ka ngjashmëri me sfidën “Momo”.

Nëse ata refuzojnë, përdoruesi do t’i kërcënojë se do bëjë publik informacionin e tyre personal. Nëse personat të cilët kanë marrë mesazhet do të pranojnë të luajnë, kjo sfidë mund të zgjasë 50 ditë me 50 sfida të ndryshme dhe si përfundim sfida e fundit mund t’i çojë deri në shkaktimin e vetëvrasjes.

Personazhi “Jonathan Galindo” aktualisht është i paidentifikuar, por profili i parë i përdorur për këtë qëllim vjen nga platforma sociale “TikTok”, në vjeshtën e vitit 2019. Që nga krijimi i këtij profili, llogari të shumta të ngjashme me njëra-tjetrën janë shfaqur në të gjithë rrjetet sociale si: TikTok, Twitter, Instagram, Discord dhe më shumë, duke dërguar mesazhe tek përdoruesit e këtyre rrjeteve sociale dhe duke i inkurajuar ose kërcënuar ata që të marrin pjesë në këtë sfidë.

“Aktualisht, sipas të dhënave që Njësia “C” disponon, personat më të prekur janë fëmijët e moshave nga 10 deri në 18 vjeç, të cilët bëjnë pjesë dhe në grupet më të prekshme të shoqërisë.

I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bëjnë kujdes për sa i përket monitorimit të pjesëtarëve të familjes së tyre dhe veçanërisht të fëmijëve, në çdo rast, dhe sidomos kur vërejnë shenja si:

Fëmijët marrin mesazhe apo postime nga “Jonathan Galindo”, i cili është një njeri që e ka fytyrën të lyer si personazhi “Micky Mouse” ose si qen;

1.Marrin ose referohen në #f57, #f40 ose #ImaWhale;
2.Ndryshime ekstreme në zakonet e tyre të të ngrënit apo të gjumit;
3.Përdorimi i veshjeve të gjata që mbulojnë mirë pjesët e trupit me qëllim që të fshihen vetëdëmtimet trupore;
4.Fotografimi i veprimeve apo aktiviteteve të ndryshme dhe dërgimi në llogari të rrjeteve sociale që prindërit nuk i njohin.

Si përfundim, sqarojmë opinionin publik se deri më tani Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit nuk ka evidentuar asnjë rast të tillë në Republikën e Shqipërisë dhe njëkohësisht bën thirrje për çdo shtetas që beson apo dyshon se gra apo fëmijë ndodhen në situatë të një rreziku të tillë, të njoftojnë menjëherë dhe në çdo moment Policinë e Shtetit”, përfundon njoftimi i policisë.