Princesha Beatrice dhe manjati i pronave Edoardo Mapelli Mozzi kanë kurorëzuar historinë e tyre të dashurisë në një ceremoni private në Windsor. Sipas BBC, dasma u zhvillua të premten në mëngjes, në një ceremoni ku morën pjesë mbretëresha, duka i Edinburgh-ut dhe të afërm të tjerë.

Data e re dasmës nuk ishte njoftuar paraprakisht dhe Buckingham Palace tha se ceremonia ishte “e vogël”. Ceremonia u zhvillua me të gjitha udhëzimet përkatëse të qeverisë për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Mapelli Mozzi – i njohur si Edo – dhe Beatrice u takuan dhe nisën të dilnin në vjeshtën e vitit 2018. Ata u fejuan gjatë një udhëtimi fundjave në Itali, shtatorin e kaluar. Ai ka edhe një djalë me ish-të fejuarën Dara Huang. Dasma e princeshës dhe Edoardo-s ishte planifikuar kohë më parë, por fati deshi që të anulohej disa herë.

Fillimisht, Beatrice u detyrua ta shtynte dasmën për shkak të skandalit të të atit, princit Andrew. Pastaj, tensionet në familjen mbretërore pas vendimit të Meghan dhe Harry-it, ia bënë edhe më të vështirë kurorëzimin, por më në fund u duk sikur çifti ia doli të planifikonte një datë. Ata do të martoheshin më 29 maj në The Chapel Royal, por mbretëresha Elizabeth II anuloi çdo event për shkak të koronavirusit.

Beatrice, e cila është e nënta në radhë për fronin, punon për Afiniti, një firmë e inteligjencës artificiale, ku shërben si nënkryetare e partneriteteve dhe strategjive.

Burimi: Anabel