I ndjeri 60- vjeçar, F.V., nga Rahoveci, i cili vdiq me 14 qershor në shtëpinë e tij, ku dy ditë pas vdekjes rezultati i analizave për COVID-19, i ka dalur pozitv, është futur nga komuna e Rahovecit në listën si i shëruar.

60 vjeçari nga Rahoveci, i cili ishte pacient i dializës në Spitalin e Prizrenit, ku pati shumë të infektuar e kishte bërë një test për COVID-19 një ditë para vdekjes.

Por me kaq nuk u mbyll rasti i tij. Dy javë më vonë, komunës ku banonte i ndjeri iu dërgua edhe emri i tij si i shëruar, bashkë me emrat e qytetarëve tjerë rahovecas.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Rahovecit, Samir Mustafën, i cili tha se për këtë çështje ka përgjegjësi Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

“Drejtoritë komunale të QKMF-së nuk i bëjnë këto analiza, nuk është në kompetencë të drejtorive komunale, mostrat i merr Insitituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, tha Mustafa.

I pyetur nëse ka informacion për këtë ndodhi, tha se nuk ka njohuri.

“Nuk e di, nuk e di, edhe unë e lexova pak më parë, nuk e di”, tha Mustafa për Gazetën Sinjali.

Ndërkaq, IKSHPK-ja nuk kanë qenë të qasshëm.

Burimi: Gazeta Sinjali