“Favipiravir”, kështu quhet medikamenti i ri i sintetizuar që do të përdoret kundër koronavirusit. Ky është një zbulim i kryer nga shkencëtarët turq që kanë arritur të prodhojnë këtë ilaç për trajtimin e të sëmurëve me COVID-19.

Ministri turk i Teknologjisë dhe Industrisë, Mustafa Varank e ka quajtur një ngjarje të lumtur, plot krenari këtë zbulim, i cili tashmë ndodhet në fazën e liçensimit.

“Favipiravir” është zhvilluar në bashkëpunim mes Ministrisë së Teknologjisë dhe Industrisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Këshillit të Hulumtimeve Shkencore dhe Teknologjike të Turqisë (TUBITAK), Universitetit Medipol në Stamboll dhe kompanisë farmaceutike “Atabay Ilaç”.

Ekipi prej 32 shkencëtarësh e ka zhvilluar ilaçin duke e sintetizuar atë me një lëndë të parë vendase në vetëm 40 ditë.

Ilaçi i sintetizuar “Favipiravir” është një nga projektet e lançuara në kuadër të Platformës së Turqisë COVID-19, ku janë kryer punime hulumtuese dhe zhvillimore në lidhje me zhvillimin e ilaçeve dhe vaksinave. Mustafa Güzel, një nga koordinatorët e projektit, deklaroi se projekti vendas për zhvillimin e ilaçeve është realizuar në bashkëpunim të industrisë dhe akademisë. Ekipi filloi punën rreth 5-6 javë më parë, tha Güzel.

“Më besoni, nuk mendoja se mund të bëhej kaq shpejt. Por, me mobilizimin kombëtar, të gjithë u afruan. Ne e arritëm këtë me frymë ekipore”, shtoi ai.

Ai theksoi se trajtimi me Favipiravir-in e sintetizuar është efektiv edhe tek pacientët që sapo kanë filluar të kenë temperaturë.

“Ka 3-4 ilaçe në botë që janë të mirënjohura në trajtim. Ky është një ilaç që ne e dimë se është efektiv”, përfundoi Güzel.

Ndërkohë Rusia njoftoi të premten se ka nisur përdorimin e Favipiravir duke vënë në dispozicion 60 mijë doza dhe paralajmëroi porositjen e 2 milionë dozave të tjera.