Një ngjarje historike që ka bërë xhiron e medias botërore këto ditë! E para grua që shkeli në hapësirë 36 vite më parë, sapo theu një tjetër rekord që pak të tjerë kanë guxuar ta bëjnë. Kathy Sullivan, u bë pjesë e sfidës “Challnger Deep”, duke prekur kështu pikën më të thellë në oqeanin Paqësor.

Ish-astronautja e NASA-s u bë pjesë e kësaj përvoje të jashtëzakonshme që zgjati pesë orë dhe mundi që të arrinte në 10 mijë e 925 metra thellësi në oqeanin Paqësor. Në këtë ekspeditë ajo u shoqërua nga piloti Victor Vescovo i “Caladen Oceanic”, kompani private kjo e dedikuar për zhvillimin e teknologjisë. “Jam ndier si një jashtëtokësore që ka arritur në një planet të panjohur. Ishte e jashtëzakonshme”, u shpreh Sullivan pas interesimit të madh të gazetarëve për këtë arritje të madhe të amerikanes që për të dytën herë radhazi bëri mediat, por edhe botën mbarë të flasë për të.

Vetëm tetë persona kanë arritur deri më tani në pikën më të thellë të njohur në oqean, duke përfshirë regjisorin James Cameron, ndërkohë që sipas CBS News, vetëm 574 persona nga mbi 40 shtete kanë shkuar në hapësirë.

Zhytja në pikën më të thellë në oqeanin Paqësor u bë e mundur falë mjeteve dhe teknologjisë në dispozicion. Në thellësinë e mbërritur, uji është shumë i ftohtë, nuk ka dritë, kurse presioni është gati i papërballueshëm, ndaj për Sullivan kjo eksperiencë e jetuar është historike dhe e jashtëzakonshme.

Burimi: Revista Class