Për të gjithë ata qytetarë të Kosovës që duan të udhëtojnë jashtë vendit dhe u duhet testi nëse për COVID-19, nuk mund ta bëjnë një test të këtillë në vendin e tyre.

Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës kërkojnë nga çdo qytetari që hyn në vend, testin që dëshmon se nuk është i prekur nga virusi Korona. COVID-19, jo më të vjetër se katër ditë.

Nëse ata nuk kanë një test të tillë, atëherë duhet të vetizolohet për shtatë ditë.

Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive në QKUK pranon se përpos trajtimit të pacientëve me COVID-19, po ballafaqohet me fluks të qytetarëve që po e kërkojnë të bëjnë test.

Sipas tij, kjo Klinikë i adreson të gjitha kërkesat e qytetarëve, mirëpo një vendim të tillë e merr Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Prej kur janë hapur kufijtë tokësorë të Kosovës, qytetarët kanë shprehur interesim të lëvizjes, por që një gjë të tillë po ua pamundëson testi për Covid-19.

Ndërkohë, Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se prej kur janë hapur kufijtë tokësorë të Kosovës për qarkullim të lirë të qytetarëve , testi për COVID-19 u bëhet vetëm atyre që shkojnë për mjekim jashtë vendit si dhe shoqëruesve të tyre.

“Në diskutim ka edhe opsione te tjera si testimi t’u bëhet edhe atyre që mund të bëjnë një lloj bashkëpagese për këtë, por kjo mund te rezultojë në këtë fazë me shpenzimin e testeve te cilat Kosovës mund t’i duhen për një valë tjetër eventuale të COVID-19, pas një kohe”, tha Hoti.

Ai shtoi se ajo çfarë do të bëhet më tej rreth këtij procesi, do të vendosë Qeveria e re e Kosovës, bazuar ne rekomandimet e IKSHPK-së. Por, derisa të merret ndonjë vendim tjetër, mbetet ne fuqi ajo që deri tash është duke u zbatuar rreth testimeve për kosovarët që udhëtojnë në vende tjera, pra nuk mund t’u bëhen teste të tilla.

Të gjithë qytetarët e Kosovës ose të huaj që hyjnë në pikat kufitare, udhëzohen nga profesionistët shëndetësorë në pikat kufitare nëse duhet vetizoluar ose jo dhe kjo masë do të vazhdojë deri më 20 qershor, kur do të bëhet rivlerësim i situatës.