Ylli i muzikës botërore, Dua Lipa është shndërruar në figurë tejet të kritikuar në Izrael.

Së fundmi është iniciuar një peticion që bën thirrje për ndalimin e këngëve të Dua Lipës, në Army Radio dhe Galgalatz.

Kjo revoltë erdhi pasi këngëtarja ndau  në llogarinë e saj në Instagram një postim anti-Izrael, ku pretendonte se ushtarët e IDF qëllojnë fëmijë, mes pretendimeve të tjera të konsideruara nga ‘Jerusalem Post’ si  anti-Izraelite.

Peticionin tashmë e kanë nënshkruar mbi 3,000 persona.

“Është e pakonceptueshme që një radio stacion do të vazhdojë të promovojë dikë që shkon kundër ushtarëve të IDF,” tha Dov Trachtman, menaxher i mediave dixhitale të Im Tirzu.

 “Është koha që ministri i mbrojtjes dhe ministri i kulturës t’i japin fund këtij teatri absurd në të cilin antisemitet si ky këngëtar vazhdojnë të transmetohen në valët e radios ushtarake.”

Postimi i ndarë nga Dua Lipa mes tjerash potencon: “Ndërsa të gjithë janë në humor për të folur për të drejtat e njeriut, kjo është ajo që ndodh çdo ditë në Palestinë, e paguar nga dollarët e taksapaguesit tanë.”

 “Por mos u shqetëso”, vazhdon shkrimi. “Ata janë të gjithë terroristë. Ne e kuptojmë plotësisht”, thuhet tutje në postim.