Anthony Fauci, eksperti i sëmundjeve ngjitëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar se SHBA deri në fund të vitit mund t’i ketë në dispozicion 100 milionë doza të vaksinës.


Fauci, i cili njëherësh është drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Ngjitëse, ka konfirmuar se tashti në shumë vende të botës, kanë nisur provat klinike të disa vaksinave dhe se sipas tij deri në fund të vitit mund të prodhohet një e zbatueshme.  

Ndërkohë kompania farmaceutike, Moderna në SHBA, pritet të hyjë në fazën finale të testimit.

Sipas Faucit, i cili është prononcuar për revistën e Shoqatës Amerikane Mjekësore, vaksina e kompanisë Moderna është me muaj larg aprovimit të mundshëm, transmeton CNN.

“Ne do të fillojmë të prodhojmë dozat e vaksinave shumë më përpara se të dimë se vaksina funksionon,” tha Fauci. “Parashikimet e analizave statistikore dhe projeksioni i rasteve ka indikacion se mund ta dimë nëse është efikase ndoshta në nëntor, dhjetor…deri atëherë do të kemi afër 100 milionë doza”.

Ndërkohë, bëhet e ditur se vaksina e kompanisë Moderna ka treguar një sukses fillestar në testet klinike. Vaksina ka shfaqur rezultate ku pacientët janë imunizuar ndaj koronavirusit,

Ekipi i Moderna-së po krijon vaksinën duke shfrytëzuar teknikë që ende nuk ka rezultuar vaksinë efektive, por është një proces shumë më i shpejtë sesa metoda më tradicionale.

Burimi: CNN