Yje të shumtë në mbarë botën, i janë bashkuar fushatës në internet kundër racizmit, që shpërtheu pas vrasjes mizore që iu bë afro-amerikanit George Floyd nga disa polic.

Kjo vrasje po cilësohet si rasti i paprecedentë dhe diskriminues.

Në mesin e shumë të famshmëve, në rrjete sociale ka reaguar edhe artistja shqiptare me fame botërore, Bebe Rexha.

Përmes një postimi në Twitter ka shpërndarë peticionin online, ku po kërkohen nënshkrime për të kërkuar drejtësi për vrasjen e Floyd.

“Askush nuk duhet të ndihet i pasigurt në këtë vend. Askush nuk duhet të vritet për shkak të ngjyrës së lëkurës së tij. Ajo që ndodhi me George Floyd dhe shumë të tjerë është e papranueshme. Dërgo tekstin ‘FLOYD’ në 55156. Nënshkruaju peticionin. Kjo duhet të ndryshojë”, ka qenë thirrja e Bebe Rexha në Twitter.

Ndryshe, ditën e enjte është arrestuar oficeri i policisë në Minneapolis, Derek Chauvin, i cili shkaktoi vdekjen e George Floyd duke e ngulfatur, derisa në shumë shtete në SHBA, kanë shpërthyer trazira.