Tensionet ende po ziejnë pas më shumë se dy muajsh izolim koronavirusi në Itali, teksa dhe vetë kolegët parlamentarë kanë bërë sulme seksiste dhe kërcënime ndaj ministres së arsimit Lucia Azzolina, e cila tashmë mbrohet nga policia.

Senatori i djathtë Giuseppe Moles i grupit Forza Italia paralajmëroi ministren duke i thënë se kredibiliteti është “si virgjëria dhe mund ta humbasësh shumë shpejt”.

Senatorët e zemëruar të partisë 5-Yje të ministres, kërkuan me ngulm që Moles të kërkojë falje.

Gjithashtu zv. ministri italian i shëndetësisë dhe një guvernator rajonal kanë mbrojtje nga policia prej kërcënimeve në lidhje me menaxhimin e tyre të krizës së koronavirusit.

Gjatë seancës së pyetjeve në Senat, Moles akuzoi 37 vjeçaren Azzolina për paaftësi, në një kohë kur zemërimi është shtuar për paralizën në sistemin arsimor të shkaktuar nga kriza e koronavirusit.

Mes të tjerash Moles tha:

“Kemi dëgjuar aq shumë: shkollat po mbyllen, po, shkollat po mbyllen, jo; në prill nxënësit do të kalojnë klasën, në maj do të mbesin në klasë; Në shtator do të nisin mësimin gjysma e nxënësve, gjysma tjetër rri në shtëpi. Ju kujtoj ministre se shkolla kërkon seriozitet dhe kredibilitet, dhe kjo e fundit është si virgjëria: është e thjeshtë ta humbasësh, e vështirë për ta ruajtur dhe e pamundur për ta rifituar”.

Azzolina nuk reagoi ndaj senatorit. Ndryshe nga vende të tjera, Italia ka shtyrë hapjen e shkollave për në shtator.