Është një nga femrat më tërheqëse në pasarelat e modës. E bukur, elegante dhe plot sharm. Por krahas këtyre tipareve, shquhet për një shpirt fisnik dhe thjeshtësi të jashtëzakonshme.
Padyshim se secili, është i njohur me personalitetin e Emina Çunmulaj Nazarian, një vajzë shqiptare e lindur në Michingan të SHBA-së nga prindër shqiptarë nga mali i Zi.
Çunmulaj së bashku me familjen kthehet në mal Të Zi në vitin 1988, kur ajo ishte vetëm katër vjeç. Shquhej si një nxënëse e shkëlqyeshme, por edhe një vajzë që krahas shkollimit ndihmonte familjen në punët e fshatit.
Kjo vajzë me plot ëndrra dhe ambicie, duke parë pozitën e gruas shqiptare në Ballkan, i kishte vendosur vetes një mision tejet fisnik. Të thyente tabutë dhe mitet që ishin krijuar për figurën e femrës.

Duke qenë një vajzë sharmante, bukuria e saj ka joshur përfaqësuesit e Elite Model Management, të cilët e takuan Çunmulajn në garën e modelingut “Elite Model Look Jugoslavia, që u mbajt në vitin 2011, me rast ajo kurorëzohet si fituese e këtij konkursi. Në po të njëjtin vit, porta e suksesit, hapet për Emina Çunmulajn, pasi ajo nënshkroi një kontratë me kompaninë Elite.
Angazhimet në botën e modës dhe modelingut, e rikthejnë Çunmulajn, në SHBA.
Nga ajo kohë, karriera e saj zhvillohet me hapa të shpejt dhe se shumë prej magazinave më të njohura por edhe disenjatorë të ndryshëm, kishin zgjedhur modelen shqiptare për të reklamuar kreacionet e tyre.
Jo rrallë herë imazhet e Emina Cunmulajt kanë përfshirë ballinat e magazinave prestigjioze si Vogue, Elle, Marie Claire.
Në vazhdimësi ajo ishte pjesë e reklamave të kreacioneve të kompanive më të njohura botërore të modes, si Chanel, Jean-Paul Gaultier, Valentino, Gucci, Dolce & Gabbana, Giorgio Armani dhe Roberto Cavalli.

Humanizmi si vlerë e trashëguar nga familja

Pasarelat e modës dhe të hyrat që ajo siguronte nga aktiviteti profesional, nuk arrinin të përmbushnin karakterin e saj fisnik.
Pranda, Emina Çunmulaj, qenien e saj ia kishte dedikuar edhe filantropisë.
Humanizmin, siç ajo e ka potencuar shpesh herë, e kishte trashëguar nga familja. Bujarin dhe solidariteti, e kishin karakterizuar familjen Çunmulaj qysh prej kohësh. Emina, mbase edhe vet e pati deklaruar se angazhimi i familjes së saj e në veçanti nënës për të ndihmuar njerëzit në nevojë ishte shumë i madh.
Nënë e saj qysh në vitet e 90-ta ishte kujdesur për strehimin e shumë familjeve të përndjekura nga konflikteve në Ballkan. Kishin ushqyer dhe ishin kujdesur për veshmbathje për shumë të arratisur nga lufta.

Gjithë kjo situatë, vuajtje me dekada të popullit shqiptarë, nuk kanë pasur se si të shlyhen nga kujdesa e modeles e cila tashmë kishte kapur ëndrrën amerikane.
Si rezultat, Emina në vazhdimësi ishte në ballë të aksioneve për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë. “Fundjavë Ndryshe”, ishte iniciativa e saj të cilën ajo e nisi në vitin 2017 gjatë një udhëtimi në zonat rurale të Shqipërisë. Përfshirja e saj u intensifikua në vitin 2018, kur ajo pareshtur filloi shpërndarjen e ndihmave ushqimore, por edhe ndërtimin e shtëpive për familjet skamnore në zonat më të thella të Shqipërisë.
Motoja që gjithmonë ka përcjellë modelen shqiptare, me të drejtë i atribuohet virtyteve të saj “Dashurinë që unë jap dhe ndaj me ata në nevojë”.

Dashuria romantike, një pejsazh që ka pasuruar kornizen familjare të Emina Çunmulajt

Momentet më të mrekullueshme të jetës shpesh ndodhin në mënyrë të papritur, dhe tregimet më të mira të dashurisë përmbajnë gjithmonë një element surprizë.
Emina Cunmulaj, pa komplekse shpeshherë ka folur edhe për jetën e saj private dhe dashurinë e jetës, Sem Nazarian, një biznesmen amerikan me origjinë Iraniane.

Takimi me njeriun i cili më pas ishte shndërruar në shokun e jetës, kishte ndodhur krejt rastësish në ishujt karaibe, derisa Çunmulaj po pushonte me një shok dhe familjen e tij.
Në të njëjtin lokal ishte edhe Sam Nazarian me shoqëri, kur edhe atë natë ndodhi takimi i tyre i parë.
“Asnjëherë nuk kam besuar në dashuri me shikim të parë deri në atë moment,” pati përshkruan Çunmulaj.
Për një kohë, lidhja e tyre ishte mbajtur në distancë, duke komunikuar herë pas here, por jo edhe shumë , pasi që dashuria midis tyre kishte lulëzuar shpejt.
Kjo dashuri, vazhdoi me bafasi e dhurata për modelen dhe filantropen shqiptare.
E dhurata më e madhe, për Eminan, padyshim janë dy vajzat e saj, të cilat i kanë dhënë kuptim jetës së saj.

Kjo vërehet pasi që Emina Cunmulaj, vazhdimisht ndan momente nga jeta e saj private, e më së shpeshti publikon fotografi me vajzat. që duket se i ka shumë përzemër.
Karakteristikë që mund të vërehet përgjatë këtyre fotografive e videove është se Emina është shfaqur gjithnjë një nënë e përkushtuar ndaj dy vajzave të saj.
E me fanatizëm ajo ruan dhe kultivon traditën shqiptare, duke e prezantuar atë shpeshherë në rrjete sociale.